Julia Vrapi
28 Prill 2022
Arti kërkon punë, durim dhe pasion shprehet piktori i njohur Artan Shabani, i cili po vijon aktivitetin me krijimtarinë e tij. Në intervistën për gazetën “SOT”, piktori Artan Shabani, i cili ka hapur ekspozita arti brenda dhe jashtë vendit thotë se kush punon e kupton çfarë do të thotë të ndërtosh ekspozita dhe të përditësosh art. Këto kohë piktori Artan Shabani së bashku me një tjetër piktor të njohur, Ben Kamili, çelën ekspozitën e tyre në Vjenë të Austrisë. Ekspozita “Die macht der Farbe” u prit me interesin e publikut dhe kritikëve të artit. Ai tregon se punimet e tij variojnë nga figurat, nudot, tekstili i risjellë në një qasje bashkëkohore , etj. Ndërsa koleksioni i paraqitur nga Kamili sjell një larmi punimesh, ku ai shpalos fuqinë e tij si një kolorist i fuqishëm ekspresiv. Piktori Shabani tregon se ekspozita “Pushteti i ngjyrës” do të qëndrojë deri më datë 28 maj në Vjenë, por do të vijojë edhe në shtete të tjera me veprat e artistëve shqiptarë. Sipas tij, kjo ekspozitë do të ketë finalen në qytetin e Vlorës.

Në galerinë ArteQ të Vjenës ju prezantoheni me veprat tuaja së bashku me një tjetër autor. Në vijim të aktivitetit tuaj, si erdhi ky prezantim në Vjenë për ekspozitën?
Në datën 22 prill së bashku me mikun tim Ben Kamili çelëm ekspozitën vetjake në galerinë ArteQ, e cila ndodhet në pjesën e zonës historike të Vjenës, shumë pranë me shtëpinë e muzikës dhe Akademinë e Arteve. Kjo ekspozitë e titulluar “Die macht der Farbe” vjen nga Berlini, ku patëm rastin të bashkëpunonim me fondacionin “Art Asylum”, me qendër në Haus Kunst Mitte, në sallat e Kuns Mitte u ekspozuan rreth 100 vepra nën kurimin e historiani të artit dr. Wilhelm Ziehr. Ekspozita berlineze u përurua më 23 shkurt 2022 në prani të artistëve të ndryshëm gjermanë, dashamires te shumtë të cilët erdhën nga zona të ndryshme të Gjermanisë dhe të ftuarve të tjerë, ndërmjet të cilëve dhe artisti dhe koleksionisti holandez Fré Ilgen, themeluesi i teatrit te hijeve z. Hans Kemper, koleksionistë të ndryshëm si dhe ishte e pranishme përgjegjësja e Kunsthalle Willingshausen. Pra pikënisja fillon me Berlinin dhe për të dy piktorët mbetet e rëndësishme, sepse është një godinë me histori dhe me ngjarje të shumta, kujtojmë se themeluesit e Kuns Mitte ishte poetja Elisabeth dhe piktori Manfred Bartling, të cilët e themeluan atë më 1999. Kuns Mitte qëndroi e padëmtuar në Luftën e Dytë Botërore, ajo ishte e vetmja mbetje në një peizazh rrënojash dhe shërbeu si vendstrehimi nga bombardimet e luftës dytë botërore, si furra buke në bodrumet e saj, si dhe shërbeu si vendstrehimi për 120 familjet e riatdhesuara nga Gjermania lindore. Për një periudhë katër vjeçare (2008-2012) ajo shërbeu si struktura pritëse për artistë të artit bashkëkohor. Artistët Olafur Eliasson, Thomas Demand dhe Tacita Dean kishin studiot e tyre këtu. Ndërtesa tashmë është transformuar në një strukturë moderne ekspozuese dhe mikpritëse e artistëve pamorë jo vetëm nga Gjermania, por nga e gjithë bota. Prezantimin në Vjenë e bëri i njëjti kurator dhe studiues arti, dr. Wilhelm Ziher, të pranishëm ishin mjaft autoritete të diplomacisë si ambasadori i Shqipërisë z. Roland Bimo, autoritete të kulturës si Shkëlzen Doli, etj.
Me çfarë veprash në pikturë nga punët tuaja prezantoheni këtë herë në Vjenë?
Në Vjenë numri i punimeve ishte më i reduktuar në krahasim me atë në Kuns Mitte, në ArteQ Gallery u prezantuan 20 vepra në vaj dhe 12 në monotor. Punimet variojnë nga figurat, nudot, tekstili i risjellë në një qasje bashkëkohore etj, solla gjithashtu disa punime kushtuar disa prej figurave më të rëndësishme intelektuale si Martin Heidegger “Sentieri interrotti”, referuar “shtigjeve të tij prej druri”, Friedrich Hölderlin “La veduta luminosa di Hölderlin”, Arnold Schönberg, “Nata e Shndërruar”, Johann Sebastian Bach në një “homazh”, siç edhe e përmendi kuratori i ekspozitës: “Kjo është një botë intelektuale që ushqehet me filozofinë, letërsinë, muzikën dhe artin, të cilat punimet e tij duan t’i afrohen dhe gjithashtu t’i arrijnë…”
Çfarë mund të na thoni edhe për prezantimin e punëve të kolegut tuaj?
Ben Kamili është piktori me origjinë nga Maqedonia e veriut, Beni jeton dhe krijon prej gati 30 vitesh në Berlin dhe në Danimarke. Kamili lindi në 1969 dhe nga viti 1998 deri në vitin 2004 studion në Universitetin e Arteve të Berlinit me profesor Klaus Fussmann. Në ekspozitën vjeneze Ben Kamili paraqit vepra nga cikli “Les Fleurs du Mal”, nga peizazhet ”Garden of Charlottenburg Palace” Berlinit/Brandenburgut. Koleksioni i paraqitur në ekspozitë sjell një larmi punimesh, ku artisti shpalos fuqinë e tij si një kolorist i fuqishëm ekspresiv, dr. Wilhelm Ziehr duke analizuar krijimtarinë e artistit Kamili u shpreh se: “Përzgjedhja e Ben Kamilit nga vepra e tij e gjerë, e dokumentuar në bollëk në disa katalogë (“Shkëlqimi i ngjyrave”, “Elba”, “Peizazhet e ishujve të Gjermanisë së Veriut”, “Kopshtet mbretërore”, “Die Schwalm”), ilustron një arritje të veçantë të pikturës bashkëkohore. Janë vepra që duken poetike, në të cilat nuk janë motivet e paraqitura që krijojnë imazhin e përhershëm, por ngjyrat në pamjen e tyre. Të korrespondosh me vetveten do të ishte parimi udhëzues i artistit, dhe një artist gjithashtu përpiqet t’i japë drejtësi”. Veprat e piktorit Ben Kamili bëjnë pjesë në koleksione të rëndësishme në Gjermani, Austri, Kore, Danimarkë, etj.
Një ekspozitë që u mirëprit dhe me vlerësimin e studiuesve të artit. Sa ka rëndësi kjo për aktivitetin e një artisti si ju?
Vlerësimet e kuratorëve dhe të galeristëve kanë rëndësi mbasi artisti nuk mund të rrugëtojë pa pasur bashkëbisedime të vazhdueshme dhe biseda rreth punës krijuese. Në shkrimin e katalogut të ekspozitës kuratori dr. Wilhelm Ziehr shprehet: “Pasi pashë pikturat e para të Artan Shabanit, mbeta i mahnitur nga ngjyrat dhe intensiteti i tyre. Cilësia, imagjinata dhe pasuria e formës më tërhoqën, megjithëse mendova se mund të vërtetoja se ekspresionizmi gjerman (piktorët Brücke dhe Kirchner) duhet të kenë qenë veçanërisht të afërt me të, të paktën ndonjëherë).
Sa do qëndrojë ekspozita dhe si do vijojë më tej prezantimi juaj si piktor?
Ekspozita do të qëndrojë deri në fund të muajit maj dhe mbas Austrisë ekspozita do të shkojë në Itali dhe më tej në principatë të Montecarlos, ndërsa pjesa finale e ekspozitës do të jetë në qytetin e Vlorës. Por nuk do ndalemi këtu. Në vazhdim do të kemi edhe disa projekte interesante, por më mirë le t’ia lemë kohës për t’i shijuar dhe për të dhenë mbresat e përftuara. Rëndësi ka që gjërat të rrjedhin natyrshëm. Arti kërkon punë, durim, pasion, gjakim artistik të madh. Kush punon e kupton seriozisht çfarë do të thotë të ndërtosh ekspozita dhe të përditësosh art. Jam i bindur se jemi në një çast artistik kur do të kemi shprehje të bukura dhe të arrira artistike. E besoj këtë gjë dhe punoj për të.